Trendet demografike dhe socio-ekonomike të popullsisë së Rahovecit

Forumi Anadrini (FARDI), në cilësinë e bashkëorganizatorit, së bashku me Komunën e Rahovecit, organizoi Forumin Ekonomik Rahoveci 2026, i mbajtur në sallën e Kuvendit Komunal të Rahovecit. Forumi iu kushtua prezantimit dhe diskutimit të rezultateve demografike dhe socio-ekonomike të Regjistrimit të Popullsisë 2024 për Komunën e Rahovecit, me fokus në ndikimin e tyre në planifikimin e zhvillimit të ardhshëm lokal.

Punimet e forumit u hapën me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi, i cili theksoi rëndësinë e mbështetjes së vendimmarrjes dhe politikëbërjes lokale në të dhëna të sakta statistikore, si bazë për zhvillimin e qëndrueshëm të komunës.

Në kuadër të forumit, prof. dr. Sami Behrami, z. Ilir Berisha dhe z. Idriz Shala prezantuan analiza dhe të dhëna mbi ndryshimet demografike, ekonomike dhe territoriale të Komunës së Rahovecit, duke ofruar një pasqyrë të qartë mbi strukturën e popullsisë, tregun e punës, migrimin dhe sfidat e mundësitë zhvillimore që dalin nga rezultatet e Regjistrimit të Popullsisë 2024.

Diskutimet nxorën në pah rëndësinë e përdorimit të të dhënave statistikore si bazë për hartimin e politikave publike, planifikimin strategjik dhe orientimin e investimeve, me synim zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e social të Rahovecit dhe 36 vendbanimeve të tij.

Forumi mblodhi përfaqësues të institucioneve, komunitetit të biznesit, shoqërisë civile, komunitetit akademik dhe qytetarë të interesuar, duke krijuar një hapësirë të vlefshme për dialog, shkëmbim idesh dhe formulim rekomandimesh konkrete për të ardhmen e komunës.

Forumi Anadrini mbetet i përkushtuar për të qenë një platformë që nxit dialogun, bashkëpunimin dhe iniciativat zhvillimore, duke bashkuar institucionet, ekspertët, komunitetin dhe mërgatën në funksion të një zhvillimi të qëndrueshëm dhe afatgjatë të Rahovecit.